Uncategorized

Lojë dhe argëtim

Lojra sportive, aktivitete kulturore, edukative dhe argëtuese  zhvillohen çdo ditë për fëmijët që frekuentojnë qendrat ditore ARSIS dhe për fëmijët  në komunitetet ku ata banojnë. Kalçeto është ndër aktivitetet sportive më të preferuara. 51 fëmijë të ndryshëm janë përfshirë në këtë aktivitet 1 ditë në javë sipas grup moshave.  Dy nga fëmijët që spikasin për talentin janë mbështetur financiarisht për t`u trajnuar në një ekip profesional futbolli.

Volejbolli dhe ping-pongu janë gjithashtu lojra të preferuara  të fëmijëve mbi 12 vjeç. Ndër  aktivitetet  që u ofrohen fëmijëve janë filmat. Çdo javë fëmijët përfshihen  në ‘terapi filmi’ jo-formale. Filma të përshtatshëm sipas grupmoshave shfaqen dhe  diskutohen në grupe  nga fëmijët.Pas shfaqjes organizohen diskutime për temën, për aktorët  dhe lojën e tyre, për preferencat e fëmijëve, për ëndrrat e dëshirat e tyre. Një praktikë e tillë jo vetëm argëton fëmijët, por edhe ndikon në formimin e  shijeve të tyre artistike dhe estetike.

Gjatë gjithë muajve të ngrohtë, me fëmijët organizohen shëtitje dhe ekskursione në parkun e liqenit të Tiranës, në pika turistike brenda dhe jashtë  Tiranës. Në aktivitetet verore përfshihen çdo ditë 40-50 fëmijë të moshës 12 -16 vjeç. Lojrat sportive, piktura e fytyrës, lojrat  me tullumbace, futbolli dhe volejbolli, kukafshehti, etj, janë disa nga aktivitetet e preferuara.
Me  fëmijët janë organizuar  vizita në Muzeun Arkeologjik të Tiranës, në  Galerinë Kombëtare të Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar, në një galeri private arti,  janë ndjekur shfaqjet e cirkut dhe teatrit të kukullave,   janë organizuar ekskursione  në kalanë e Petrelës, në fshatin piktoresk të Pezës, në qytetin historik të Krujës, etj. Të gjitha veprimtaritë e organizuara kanë synim të zvogëlojnë numrin e orëve që fëmijët shpenzojnë në rrugë dhe  të sigurojnë një mjedis për zhvillimin e mëtejshëm të aftësive  të fëmijëve.

 

Tags:

No comments yet.

Add your response

You must be logged in to post a comment.